Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, ka lëshuar këtë të enjëte një deklaratë, në emër të përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së bashkuar pas sulmit terrorist në Banjskë që la të vdekur një polic të Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, ambasadorët e QUINT-it, shprehin ngushëllime për jetën e humbur të policit Afrim Bunjaku, si dhe kërkohet hetim ndaj atyre që e kryen këtë akt.

Tutje aty thuhet se, normalizimi i situatës në Kosovë, vjen vetëm me dialog.

Deklarata e plotë e ambasadorëve:

Deklaratë e përbashkët për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës

Siç u dha nga ambasadori Michael R. Carpenter

Këshillit të Përhershëm, Vjenë

28 shtator 2023

Po e bëj këtë deklaratë të përbashkët në emër të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe në cilësinë time kombëtare.

Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së një rreshteri të Policisë së Kosovës. Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për një vdekje kaq tragjike në krye të detyrës. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent.

Ne vlerësojmë koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë për të garantuar sigurinë e civilëve dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër.

Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.