Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ndodhet në Nju Jork në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai u pyet nga gazetarët për fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden, për të cilin tha se ishte i ashpër me Rusinë dhe i moderuar me Kinën. Vuçiç bëri ironi se ishte interesante se si të drejtat e njeriut dhe të drejtat e popullatës LGBT vendosen pas integritetit territorial dhe sovranitetit.
I pyetur për fjalimin që do të mbajë në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuçiç tha se ende është duke e përgatitur dhe duke punuar me të për ta përputhur me zhvillimet e 3 ditëve të fundit. Vuçiç tha do të ketë sonte një takimin me Josep Borrell dhe se zyrtarët evropianë “do t’i mbajnë përsëri leksione dhe predikime për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.
“Do t’i dëgjoj me kujdes dhe do t’u them: “Mirë bëtë që më mbajtët një leksion, por unë drejtoj Serbinë si president. Përderisa është kështu ne do të udhëheqim me këtë politikë. Kur ta kuptojnë se me kë kanë të bëjnë, nuk do ta bëjë më”, – tha Vuçiç.
“Kjo sepse siç e shihni, për 1 vit e 7 muaj ne kemi mundur të udhëheqim një politikë të tillë serioziteti dhe përgjegjësie. Kjo është e ndershme dhe e përgjegjshme dhe është një politikë e drejtë, sepse ne e dimë se si kemi kaluar me sanksionet. Vetë Biden në fjalën e tij përmendi integritetin territorial, sovranitetin dhe vetëm 3 nga të drejtat e njeriut si vlerat më të larta të njerëzimit, duke iu referuar vazhdimisht Kartës së OKB-së”, – tha Vuçiç.
Ai theksoi se do të përpiqet në fjalën e tij, edhe pse vjen nga një vend i vogël, t’i kujtojë si Bidenit vitin 1999 kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së bombardoi një vend të dobët në Ballkanin Perëndimor dhe vrau njerëzit.